Beka: Kallëzimi penal ndaj Belizar Jezercit është presion politik dhe instrumentalizim i ligjit
Basri Beka ka reaguar publikisht ndaj kallëzimit penal të dorëzuar nga avokati Asdren Bytyqi ndaj Belizar Jezercit duke e cilësuar atë si një veprim të motivuar politikisht dhe fetarisht, e jo si akt të drejtësisë.
Sipas Bekës, kallëzimi në fjalë përfaqëson “hipokrizi dhe instrumentalizim të ligjit”, me qëllim frikësimin politik dhe ideologjik të individëve dhe organizatave që mbrojnë rendin kushtetues dhe karakterin laik të shtetit të Kosovës. Ai thekson se Bytyqi, sipas deklarimeve të tij publike, ka përdorur gjuhë stigmatizuese dhe kërcënuese ndaj qytetarëve dhe lëvizjeve të caktuara duke i etiketuar si “provokatorë të Serbisë” dhe duke paralajmëruar ndjekje kolektive.
Beka vlerëson se deklarata të tilla përbëjnë gjuhë urrejtjeje dhe mosdurim fetar duke rrezikuar sigurinë e individëve dhe organizatave që veprojnë ligjërisht në Kosovë. Ai shton se Belizar Jezerci, sipas tij, ka reaguar ndaj një realiteti shqetësues që lidhet me thirrjet publike për rend teokratik, ligj të Sheriatit dhe përjashtim politik e kombëtar të atyre që nuk pajtohen me ideologjinë e Islamit politik.
“Këto nuk janë interpretime, por fakte të dokumentuara,” thekson Beka duke shtuar se figura të caktuara kanë përdorur edhe gjuhë lufte fetare në diskursin publik.
Në reagimin e tij, Beka shprehet se kallëzimi penal ka pasur efekt të kundërt për rrymat që, sipas tij, qëndrojnë pas tij duke “hapur Kutinë e Pandorës” dhe duke e vendosur fokusin tek nevoja që shteti të veprojë. Ai kërkon nga organet e drejtësisë që të hetojnë seriozisht rrjetet e ekstremizmit fetar, financimet, propagandën dhe thirrjet antikushtetuese për rend teokratik.
“Nxitja e urrejtjes fetare, delegjitimimi i shtetit laik dhe kërcënimi i bashkëjetesës shoqërore nuk mund të tolerohen, pavarësisht nëse vijnë nga individë me titull avokati apo hoxhe,” përfundon Beka duke theksuar se shteti nuk ka më justifikim për të mos vepruar. /Kosova.info/
