Abdixhiku: Sulmi ndaj të rinjve në politikë është sulm ndaj reformës dhe së ardhmes

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër lidhur me dyshimet për tjetërsim të votës në disa qytete duke theksuar se në shënjestër janë vënë kandidatë të rinj dhe të pastër brenda partisë, përfshirë edhe Paris Gurin.

Sipas Abdixhikut, vota e tyre nuk është tjetërsuar për shkak të gabimeve, por pikërisht sepse ata përfaqësojnë një brez të ri politik, të papërlyer dhe të papërshtatshëm për ata që, siç thotë ai, e kanë shndërruar politikën në strehë interesi. “Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja. Mbi të gjitha, goditet reforma”, ka theksuar Abdixhiku.

Ai vlerëson se ajo që po ndodh nuk është rastësi, por rezistencë e strukturave që prej vitesh kanë gërryer partinë nga brenda dhe që sot synojnë të ndalin reformën. Sipas tij, sulmi ndaj emrave të rinj dhe të pastër është sulm i drejtpërdrejtë ndaj punës pesëvjeçare të LDK-së dhe ndaj vullnetit të mbështetësve, i shprehur me votë të lirë.

Abdixhiku paralajmëron pasoja duke bërë të ditur se pas konstituivit të Kuvendit do të ketë përgjegjësi të qarta. “Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë”, ka deklaruar ai.

Njëkohësisht, kreu i LDK-së u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë pa vonesë dhe pa përjashtim duke kërkuar ndëshkim penal, përfshirë burgim, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Ai thekson se komisionarët manipulues kanë emra dhe se porositësit e këtyre veprimeve duhet të përballen me ligjin.

Për të larguar çdo dyshim, Abdixhiku ka kërkuar nga KQZ-ja rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet, në mënyrë që të vlerësohen ata që kanë numëruar drejt dhe të zbulohen ata që kanë vjedhur. “Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet”, ka përfunduar ai.

Në fund, Abdixhiku ka theksuar se, megjithëse LDK-ja ka më së paku s’përputhje dhe parregullsi krahasuar me partitë e tjera, kjo gjë e rrit edhe më shumë përgjegjësinë e saj për të vepruar me standarde të larta dhe për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor. /Kosova.info/


Go to TOP