Mbahet testi me shkrim në lëminë penale për rekrutimin e gjyqtarëve të rinj
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka organizuar testin me shkrim në lëminë penale për kandidatët për gjyqtarë, në kuadër të procesit të rekrutimit për 15 pozita të gjyqtarëve në nivelin e Gjykatave Themelore të Republikës së Kosovës.
Nga gjithsej 95 kandidatë që kanë kaluar testin kualifikues, në testin me shkrim morën pjesë, gjithashtu 95 kandidatë, prej të cilëve 50 femra dhe 45 meshkuj. Testi u mbajt në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Komisioni për Rekrutimin e Gjyqtarëve, me qëllim të rritjes së transparencës në sistemin gjyqësor, e përpiloi testin me shkrim në ditën e mbajtjes së testimit duke u fokusuar në lëminë penale për kandidatët pjesëmarrës.
Mbikëqyrjen e testit me shkrim e realizuan anëtarët e Komisionit për Rekrutim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Për monitorimin e procesit ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga partnerët ndërkombëtarë: Misioni për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, si dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Testi me shkrim për rekrutimin e gjyqtarëve të rinj përbën fazën e dytë të procesit të përgjithshëm të testimit, të cilin Këshilli Gjyqësor i Kosovës e menaxhon në përputhje me standardet më të avancuara ndërkombëtare. /Kosova.info/
