IKSHPK: Uji i pijshëm i sigurt në shumicën e Kosovës, kufizime në disa zona të Gjilanit dhe Klinës
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me qendrat rajonale të shëndetit publik, ka njoftuar se po vazhdon monitorimi i rregullt i cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas rezultateve të analizave të datës 15 janar 2026, situata e cilësisë së ujit mbetet e pandryshuar dhe brenda standardeve të lejuara për pije në rajonet e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt, Prizrenit dhe Gjakovës.
Megjithatë, përjashtim nga kjo situatë paraqesin rajonet e Gjilanit dhe Pejës, ku janë evidentuar disa zona me tejkalime të parametrave të lejuar.
Në rajonin e Gjilanit, në zonën e Kamenicës, konkretisht në Stacionin nr. 1 dhe te Besa Center, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara për pije. Ndërkaq, në Stacionin e pompimit nr. 2, në zonën Bahqja dhe në fshatin Berivojcë, është vërejtur rritje e vlerave të nitrateve mbi kufijtë e lejuar, për çka uji në këto zona nuk rekomandohet për pije.
Sa i përket rajonit të Pejës, në qytetin e Pejës, si dhe në komunat Deçan, Junik dhe Istog, cilësia e ujit vazhdon të jetë brenda standardeve të lejuara. Ndërkohë, në Klinë, si në rrjetin e furnizuar nga puset ashtu edhe në rrjetin nga burimi Jarinë, për shkak të vlerave të rritura të turbullirës, uji nuk rekomandohet për pije.
IKSHPK u bën thirrje qytetarëve në zonat e prekura që të respektojnë rekomandimet e dhëna dhe njofton se monitorimi i cilësisë së ujit do të vazhdojë në mënyrë të rregullt, me qëllim të garantimit të shëndetit publik. /Kosova.info/
