Abdixhiku: S’jam as i pagabueshëm as i përsosur, cfarëdo që vendos anëtarësia do ta respektoj
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se i ka ofruar dorëheqjen e tij anëtarësisë së LDK-së, përkatësisht Kuvendit të partisë duke theksuar se ky veprim buron nga përgjegjësia morale, njerëzore dhe politike pas procesit zgjedhor.
Në një deklarim publik, Abdixhiku sqaroi se takimi i mbajtur me nënkryetarët e LDK-së ishte joformal dhe konsultativ, por që ka zgjuar interesim të madh publik. Ai falënderoi mediat për vëmendjen dhe transparencën e treguar.
“Siç kam deklaruar në konferencën për shtyp natën e zgjedhjeve, e kam për obligim t’ia ofroj dorëheqjen time anëtarësisë së LDK-së. Nuk e bëj këtë për të ikur nga përgjegjësia, por për t’u përballur me të,” u shpreh Abdixhiku duke shtuar se përgjegjësia bartet vetëm përmes guximit për t’u vënë përpara gjykimit të anëtarësisë.
Ai theksoi se Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë i partisë, duhet të vendosë me dinjitet demokratik jo vetëm për fatin e kryetarit, por edhe për drejtimin e ardhshëm të partisë.
Abdixhiku falënderoi anëtarët dhe simpatizantët për mesazhet e shumta të mbështetjes dhe kërkesat për mosdorëheqje duke theksuar se pikërisht për respekt ndaj tyre nuk ka të drejtë të shmanget apo të mbrohet pas askujt tjetër.
“Nuk jam as i pagabueshëm e as i përsosur. Kam bërë gjithçka që kam ditur e kam mundur për LDK-në. Disa beteja i fituam, disa i humbëm, por asnjëherë nuk kam punuar për veten time më shumë sesa për këtë parti,” tha ai.
Kryetari i LDK-së bëri thirrje që secili që ka ambicie, vullnet dhe aftësi, ta kërkojë hapur mbështetjen e anëtarësisë duke nënvizuar se demokracia kërkon guxim, sidomos në momente të vështira.
Sipas tij, fillimisht do të mblidhet Kryesia e LDK-së në një takim zyrtar, e më pas edhe Kuvendi i partisë, ndërsa çdo vendim që do të marrë anëtarësia do të respektohet me qetësi dhe dinjitet.
“Sepse mbi çdo emër dhe mbi çdo funksion, qëndron LDK-ja dhe besimi i njerëzve të saj,” përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/
