Mbledhje komemorative në nderim të shkrimtarit Rushit Ramabaja, figurë emblematike e fjalës kritike dhe letërsisë shqipe

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në hapësirat e Pallatit të Rinisë, u mbajt mbledhja komemorative për shkrimtarin, publicistin, gazetarin dhe satiristin e shquar Rushit Ramabaja. Familjarë, bashkëpunëtorë, shkrimtarë, intelektualë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë u mblodhën për të kujtuar jetën, veprën dhe kontributin e tij të çmuar në letërsinë, kulturën dhe mendimin kritik shqiptar.

Në fjalën hyrëse u përmend veprimtaria e gjerë e Ramabajës në letërsi dhe gazetari, përfshirë angazhimin në redaksi të ndryshme kulturore, drejtimin e revistës për fëmijë “Zog në mëngjesit”, kontributin në gazetën “Lajm”, si dhe udhëheqjen me sukses të shtojcës satirike të saj.

Në këtë mbledhje komemorative foli edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili e vlerësoi Rushit Ramabajën si një zë të rrallë intelektual, të angazhuar dhe thellësisht të përgjegjshëm ndaj fjalës së shkruar.

“Largimi nga jeta i Rushit Ramabajës në moshën 77-vjeçare na prek thellë, sepse me të humbim jo vetëm një poet, gazetar dhe publicist të shquar, por një zë të rrallë intelektual që për dekada i qëndroi besnik fjalës së shkruar”, tha Kurti. Ai theksoi se Ramabaja i përkiste brezit të intelektualëve që e shihnin fjalën si përgjegjësi morale dhe qytetare duke lënë pas një trashëgimi të pasur letrare dhe publicistike.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, kujtoi kontributin e Ramabajës në institucionet letrare dhe mediatike duke veçuar rolin e tij si anëtar i redaksisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryeredaktor i revistës shkollore për fëmijë “Zog në mëngjesit”, si dhe punën e tij të spikatur në gazetën “Lajm” dhe shtojcën e saj satirike.

Në emër të familjes, Sadri Ramabaja e përshkroi Rushitin si një ndërgjegje kritike dhe zë të ndershëm të mendimit sociopolitik duke theksuar se largimi i tij është humbje jo vetëm familjare, por edhe plagë e hapur për kulturën shqiptare.

“Letërsia shqipe humbi një zë të jashtëzakonshëm, ndërsa shoqëria jonë humbi një mendje të kthjellët kritike”, u shpreh ai.

Profesori, shkrimtari dhe miku i tij, Agim Vinca, e kujtoi Ramabajën si shok, bashkëpunëtor dhe student të dalluar duke vlerësuar imagjinatën e tij të pasur, gjuhën e kultivuar dhe figuracionin e rrallë në letërsinë shqipe.

Në mbledhjen përkujtimore foli edhe kritiku dhe profesori Anton Berisha, i cili theksoi se me largimin e Rushit Ramabajës po shuhet një mendje e urtë dhe një ndërgjegje kritike e rëndësishme për kulturën shqiptare.

Ndërsa Alban Ramabaja, familjar i të ndjerit, e përshkroi atë si shtyllë të familjes, dijetar, udhërrëfyes të qetë dhe njeri të urtë e atdhedashës duke theksuar se familja e përcjell Rushit Ramabajën me dhimbje, por edhe me krenari.

Mbledhja komemorative u shndërrua në një homazh dinjitoz për jetën dhe veprën e Rushit Ramabajës, një prej figurave më të rëndësishme të mendimit kritik, satirës dhe letërsisë shqipe. /Kosova.info/

Go to TOP