Kurti për fitoren mbi 50% të VV-së: Qytetarët ndëshkuan bllokadën politike dhe shpërblyen zotimet tona

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se fitorja mbi 50 për qind e VV-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit është rezultat i qartë i vlerësimit qytetar ndaj krizës politike të vitit të kaluar dhe zotimeve të paraqitura gjatë fushatës. Në një intervistë për KosovaPress, Kurti tha se qytetarët e panë qartë përgjegjësinë e ish-opozitës për bllokimin e institucioneve, veçanërisht refuzimin për të marrë pjesë në seancën për miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare mbi 1 miliard euro.

Ai theksoi se VV-ja nuk ka “konvertuar” votues nga partitë tjera, por ka arritur një mobilizim gjithëpopullor duke e quajtur fitoren “historike, referendare dhe plebishitare”. Kurti shtoi se mandati i ri sjell më shumë shpresë, por edhe më shumë përgjegjësi përballë sfidave të ardhshme.

Duke folur për mbështetjen e madhe nga diaspora, ku VV-ja ka marrë mbi 80 për qind të votave, Kurti tha se mërgata gjen përfaqësim te qëndrimet e Vetëvendosjes për siguri shtetërore dhe mirëqenie sociale, të ndërlidhura me përvojën traumatike të migrimit.

Sa i përket rënies së LDK-së në rreth 13.4 për qind, Kurti vlerësoi se kjo erdhi si pasojë e perceptimit të qytetarëve se udhëheqja e saj kishte bllokuar formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ai u shpreh i bindur se tashmë nuk ka më pengesa për formimin e shpejtë të institucioneve të reja.


Go to TOP