ARDITI TOURS rrëzon pretendimet për autobus të djegur, nga e hëna padi për lajm të rremë
Kompania ARDITI TOURS ka demantuar kategorikisht lajmin e publikuar në disa media, përfshirë Klan Kosova, sipas të cilit pretendohet se është djegur një autobus i kësaj kompanie.
Në reagimin zyrtar thuhet se autobusi në fjalë nuk është djegur dhe se gjatë gjithë kohës ka qenë në udhëtim të rregullt. Sipas kompanisë, gjatë rrugës është shfaqur vetëm një defekt i vogël teknik, i cili është riparuar për rreth 20 minuta, pa asnjë rrezik për pasagjerët. Pas ndërhyrjes, udhëtimi ka vazhduar normalisht.
ARDITI TOURS thekson se siguria e udhëtarëve dhe mirëmbajtja e mjeteve janë prioritet absolut i kompanisë, duke i bërë thirrje mediave që të verifikojnë informacionet zyrtare para publikimit, për të shmangur keqinformimin e opinionit publik.
Po ashtu, kompania njofton se nga dita e hënë do të ngrejë padi ndaj Klan Kosovës për publikim të informatës së rreme, duke u shprehur e hapur për çdo sqarim përmes komunikimit zyrtar.
