Kurti mbështet operacionin anti-narkotik të ShBA-së në Venezuelë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, i cili, sipas tij, udhëhiqet nga Presidenti amerikan Donald Trump.

Në një mesazh mbështetës drejtuar SHBA-së, Kurti ka theksuar se mbajtja përgjegjëse e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin e luftës globale kundër narkotikëve.

“Republika e Kosovës mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, në Venezuelë. Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se Kosova, si aleate strategjike e SHBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër, siç është shprehur, cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajon ashtu edhe më gjerë.


Go to TOP