Mujka reagon ndaj akuzave të Mehmetajt për punësim të kundërligjshëm
Përplasje publike ka ndodhur mes gazetarit Lirim Mehmetaj dhe kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, pas paralajmërimit për publikimin e komunikimeve private që, sipas Mehmetajt, dëshmojnë ndërhyrje politike në procesin e punësimit. Mujka i ka hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se materialet po keqpërdoren për qëllime politike.
Lirim Mehmetaj ka publikuar bisedat e nxjera brenda telefonit të Faruk Mujkës. Ai thotë se mesazhet tregojnë si u koordinua me Dejona Mihailin dhe Artane Rizvanollin për punësim ilegal.
“Kjo është pjesa e parë. Këtu dëshmohet ndërhyrja politike dhe kriminale për të kapur pozita si rasti i Faruk Mujkës. Mujka paska thënë që ne do t’ia publikojmë bisedat me fëmijë, familjarë e halla. Jo tybe, pos me hallën Dejonë e dadën Artanë. Këto ku keni shkel ligj e bë krim“, ka shkruar Mhemetaj në Facebook, duke ia bashkuar videon e përgatitur.
Para publikimit, kryeshefi i Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka ka reaguar duke thënë se ‘telefoni për të cilin postoi status para disa ditësh Lirim Mehmetaj është i imi. Atë nuk e ka gjetur Lirim Mehmetaj por e ka Policia e Kosovës me konkretisht, forenzika dhe hetuesi Idriz Gashi”.
“Ky i fundit i suspenduar ngase merrte pjesë në tubimet e PDK-së dhe Sami Lushtakut. Kështu që këto ditë do të dalin materialet private të jetës sime. Komunikime me aktivistë, hallet e mia me gruan, fëmijët. Komunikimet me kolegët do t’i shihni në median e Lirimit e prej atje edhe në debatet e mbrëmjes”, ka thënë Mujka në një postim në Facebook.
Ai ka thënë se do të sajohen shkrime të ndryshme për të aluduar në detyrën e tij.
“Do të sajojnë skenarë se për mua ka pasur ndërhyrje. Edhe pse jam inxhinier me përvojë, edhe pse kam fituar ndershëm konkursin, edhe pse askush nuk ka bërë asnjë lëvizje për hatër timin”, ka thënë Mujka.
Ai ka shtuar se telefoni i tij mbahet prej mbi dy vjetësh në polici, sipas tij, vetëm për ta përdorur kundër Vetëvendosjes ditën e zgjedhjeve.
“Nuk kanë çka thonë tjetër përveçse unë si anëtar i një partie jam menduar mirë dhe kam marrë konfirmimin nga kolegët nëse bën apo jo të kandidojë për pozitën e kryeshefit në ndërmarrje publike”, ka shtuar Mujka.
