Vesa Xhymshiti, 13-vjeçarja që po e përfaqëson Kosovën me dinjitet në garat elitare të matematikës në SHBA

Nxënësja 13-vjeçare, Vesa Xhymshiti, po e bën Kosovën krenare përtej kufijve duke dëshmuar se talenti, përkushtimi dhe puna e palodhur japin rezultate të jashtëzakonshme. Ajo ka përfaqësuar vendin tonë në dy nga garat më prestigjioze të matematikës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Harvard–MIT Mathematics Tournament dhe Princeton University Mathematics Competition.

Pas suksesit të saj në Olimpiadën Evropiane të Matematikës për Vajza (EGMO) 2025, ku ishte përfaqësuesja më e re e Kosovës dhe u vlerësua me mirënjohje nderi, Vesa u ftua të bëhet pjesë e organizatës amerikane “AtheMath”, e cila bashkon nxënësit më të talentuar të matematikës nga e gjithë bota.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e priti sot Vesën në zyrën e saj duke i shprehur mbështetje të plotë dhe duke theksuar se suksesi i saj është dëshmi e qartë e potencialit të jashtëzakonshëm që kanë të rinjtë në Kosovë.

“Suksese të tilla na obligojnë të punojmë pa u ndalur për të krijuar kushte dhe përkrahje të vazhdueshme për talentet tona, në mënyrë që ato të rriten dhe të shkëlqejnë edhe më tej”, u shpreh Nagavci.

Historia e Vesës është një shembull frymëzues për brezat e rinj dhe një dëshmi se Kosova ka mendje të ndritura që po afirmohen në skenën ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP