Halimi reagon ndaj Llalloshit: Romantizimi i dhunës nuk është art

Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Sibel Halimi, ka reaguar ashpër ndaj këngëtares Edona Llalloshi duke theksuar se romantizimi i dhunës nuk mund dhe nuk duhet të quhet art.

Në reagimin e saj, Halimi thekson se arti nuk është armë dhe as thirrje për dhunë, por ndërgjegje dhe dritë që ndalon dorën para veprimeve të rrezikshme. “Arti nuk është pushkë, as thirrje për të qëlluar. Arti është pyetje, është ndërgjegje dhe përgjegjësi”, ka shkruar ajo.

Duke iu referuar vargut “Jam Albini, pushkë me qitë”, Halimi ngre pyetjen se kujt do t’i drejtoheshin plumbat duke nënvizuar se “pushka” e artistit nuk duhet të drejtohet ndaj askujt si armë, por ndaj padrejtësisë si ide, frikës si sistem dhe heshtjes si bashkëfajësi.

Sipas saj, Kosovës i nevojitet paqe dhe mirëqenie, e jo romantizim i dhunës, ndërsa artistët mbajnë përgjegjësi të veçantë shoqërore që të mos bëhen jehonë e instinkteve të errëta, por zë i arsyes, humanizmit dhe shpresës.

“Kur arti humb këtë busull, ai pushon së qeni art dhe shndërrohet në propagandë”, përfundon reagimin e saj Sibel Halimi. /Kosova.info/


Go to TOP