Sulmi në Siri, Trump paralajmëron hakmarrje pas vrasjes së amerikanëve

Presidenti Donald Trump deklaroi të shtunën se “do të ketë hakmarrje shumë serioze” pasi dy ushtarakë amerikanë dhe një civil amerikan u vranë në një sulm në Siri, për të cilin Shtetet e Bashkuara fajësojnë grupin Shteti Islamik (ISIS).

“Ky ishte një sulm i ISIS-it kundër SHBA-së, dhe ndodhi në Siri, në një pjesë shumë të rrezikshme të Sirisë, e cila nuk është plotësisht nën kontrollin e tyre,” tha ai në një postim në rrjetet sociale.

Presidenti amerikan u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ishte “i shkatërruar nga ajo që ndodhi” dhe theksoi se Siria po lufton përkrah trupave amerikane. Trump, në postimin e tij, tha se al-Sharaa ishte “jashtëzakonisht i zemëruar dhe i tronditur nga ky sulm”.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se tre pjesëtarë të forcave amerikane u plagosën të shtunën në një pritë të kryer nga një anëtar i vetëm i ISIS-it në Sirinë qendrore. Trump tha se të tre “duket se po ia dalin mjaft mirë”. Ushtria amerikane njoftoi se sulmuesi u vra, raporton AP.

Go to TOP