Aeroplani i AJet del nga rruga e taksimit në Stamboll pas fluturimit nga Prishtina – të gjithë pasagjerët të sigurt

Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi ka njoftuar se sot, në Aeroportin Sabiha Gökçen të Stambollit, ka ndodhur një incident i lehtë me një aeroplan të kompanisë AJet, i tipit Boeing 737-800, i cili kishte realizuar fluturimin Prishtinë–Stamboll me numër TKJ76Q / VF102.

Sipas informacioneve zyrtare, aeroplani, menjëherë pas aterrimit, ka dalë nga rruga e taksimit dhe është ndalur në skajin e pistës. Autoritetet aeroportuale kanë ndërhyrë me shpejtësi, ndërsa kompania ka raportuar se situata është menaxhuar pa komplikime.

Të gjithë pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurt, duke përdorur shkallët e jashtme të aeroplanit, pa qenë e nevojshme hapja e rrëshqitësve emergjentë. Fatmirësisht, nuk ka asnjë të lënduar, dhe udhëtarët kanë vazhduar rrugëtimin e tyre drejt destinacioneve përkatëse.

Në deklaratën e saj, kompania AJet ka sqaruar se aterrimi ishte i rregullt, por gjatë lëvizjes në rrugën e taksimit aeroplani ka rrëshqitur drejt terrenit të butë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë prekur Stambollin.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi ka bërë të ditur se qëndron në dispozicion për çdo ndihmë të mundshme për qytetarët e Kosovës. Në rast nevoje, udhëtarët mund të kontaktojnë në:

📌 Ambasada e Republikës së Kosovës – Ankara

📞 +90 542 711 80 99

✉️ [email protected]

📌 Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës – Stamboll

📞 +90 531 105 63 91

✉️ [email protected]

Go to TOP