Zogaj rikandidon për deputet: Vazhdojmë bashkë për zhvillim dhe përgjegjësi institucionale
Deputeti Alban Zogaj ka njoftuar zyrtarisht sot se do të rikandidojë për deputet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit duke theksuar se synon të vazhdojë punën e nisur për zhvillimin e vendit dhe forcimin e përgjegjësisë institucionale.
Në një komunikim publik, Zogaj u shpreh se përvoja e akumuluar gjatë mandatit të tij dhe energjia e re që i duhet Kosovës janë arsyeja pse ka vendosur të kërkojë edhe një herë besimin e qytetarëve. Ai konfirmoi se në listën zgjedhore të LDK-së garon me numrin 22, numër për të cilin kërkon mbështetjen e votuesve.
“Sot zyrtarisht njoftoj rikandidimin tim për deputet në Kuvendin e Kosovës. Me përvojën që kemi ndërtuar bashkë dhe me energjinë e re që vendi ynë ka nevojë, besoj se mund të vazhdojmë punën për zhvillim dhe përgjegjësi institucionale,” u shpreh Zogaj.
Ai falënderoi qytetarët për besimin e dhënë deri tani duke theksuar se mbështetja e tyre ka qenë thelbësore për punën e kryer në Kuvend dhe në strukturat politike të LDK-së.
“Në listën zgjedhore jam me numrin 22. Numër me të cilin kërkoj mbështetjen tuaj, për të çuar përpara punën e filluar, për një Kosovë më të zhvilluar. Mirënjohje për besimin që më keni dhënë deri tani. Vazhdojmë së bashku,” tha ai.
Zogaj shënon kështu edhe një herë angazhimin e tij për të qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse duke synuar të kontribuojë në stabilitetin institucional dhe zhvillimin social-ekonomik të vendit nën moton #22 dhe #LDK123. /Kosova.info/
