Kurteshi sulmon ashpër AGK-në: Aleanca e Grupeve Kriminale në mbrojtje të vrasësve me pagesë

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ka reaguar me tone tejet të ashpra ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) duke i cilësuar ata si “Aleanca e Grupeve Kriminale (AGK)” dhe duke i akuzuar për mbrojtje të “vrasësve me pagesë” të dinjitetit të njeriut.

Reagimi i Kurteshit vjen pas deklaratave të AGK-së, e cila kishte akuzuar atë për “pengim fizik të gazetarëve” dhe “sjellje agresive” ndaj ekipeve mediale gjatë një mbledhjeje të KQZ-së. Sipas AGK-së, Kurteshi ka penguar gazetarët në ushtrimin e punës së tyre duke krijuar tension të panevojshëm.

Kurteshi i ka mohuar kategorikisht akuzat duke thënë se gjithçka ka qenë vetëm një kërkesë verbale dhe e qartë për të respektuar hapësirën e punës të caktuar për KQZ-në dhe për të shmangur, siç thotë ai, “mësymjen fizike” të kameramanëve dhe gazetarëve.

Ai ka akuzuar disa media duke përmendur emra konkretë si “Vox”, “Periskopi”, “Klan Kosova”, “Gazeta Express”, “Telegrafi”, “Reporteri”, “Insajderi”, “Paparaci”, si zëdhënëse të “altoparlantëve të krimit të organizuar dhe dezinformimit”.

Sipas tij, reagimi i AGK-së dëshmon për “veprime të dirigjuara”, ndërsa gazetarët i quan “qenie të yshtura nga bosët e tyre”, të cilët – sipas tij – veprojnë përmes “kërcënimeve, shantazheve e yshtjeve”.

Kurteshi paralajmëroi se çdo herë që “kodi i gazetarisë zëvendësohet me veprime kriminale”, ai do të reagojë në të njëjtën mënyrë duke theksuar se nuk do të tolerojë “banditizmin mediatik”.

Ky është një nga reagimet më të ashpra të deritanishme të një zyrtari të KQZ-së ndaj AGK-së dhe mediave, ndërsa pritet nëse institucionet ose vetë KQZ-ja do të dalin me ndonjë qëndrim zyrtar pas këtij polemimi. /Kosova.info/


Go to TOP