Baraliu: Në 2025 votoj PDK – ribalancimi politik është domosdoshmëri kombëtare

Analisti Bleron Baraliu ka deklaruar publikisht mbështetjen e tij për Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2025 duke e cilësuar votën për këtë subjekt si të vetmen mundësi reale për të ndalur regresin politik dhe për të rikthyer ekuilibrin në skenën politike të vendit.

Në një reagim të detajuar, Baraliu thotë se megjithëse ka qenë kundër zgjedhjes me aklamacion të Bedri Hamzës në krye të PDK-së dhe ka shprehur rezerva për mungesën e frymës reformuese brenda partisë, rrethanat aktuale politike e bëjnë PDK-në “zgjidhjen më të mirë të mundshme” për këtë cikël zgjedhor.

Sipas tij, një kapitull tjetër i polarizimit, bllokadave politike dhe përplasjes së vazhdueshme mes subjekteve do të dëmtonte rëndë shtetin dhe shoqërinë. Ai thekson se përgjegjësia për degradimin institucional në dhjetë muajt e fundit bie mbi të gjitha partitë, por zgjedhjet e ardhshme duhet të prodhojnë një ribalancim politik që detyron bashkëpunim dhe mirëkuptim, si brenda vendit ashtu edhe me aleatët ndërkombëtarë.

Baraliu vlerëson se ky ribalancim mund të arrihet vetëm nëse PDK merr rreth 28–30% të votave, krahas një Vetëvendosje me 33-35% duke krijuar një skenë të re politike që çon drejt depolitizimit, modernizimit dhe pajtimit kombëtar.

Ai u bën thirrje qytetarëve të votojnë “me arsye të shëndosha” për të ardhmen e brezave të rinj duke lënë mënjanë preferencat e ngushta partiake dhe duke menduar për konfigurimin e ri politik që siguron stabilitet dhe bashkëpunim.

#UnëVotojPDK2025 /Kosova.info/


Go to TOP