Sovraniteti në Veri, festë apo iluzion
Shkruan: Hisen BERIShA
Me rastin e festës së flamurit, shtrirja e sovranitetit në Veri nuk na doli bash shtrirje.
Unë e kuptoj, saktësisht çka do të thotë të dalësh në Veri të Mitrovicës me Flamur Kombëtar, po ashtu, e kuptoj se përse Policia u urdhërua, dhe nuk i lejoi të kalojnë në veri me Flamur Kombëtar.
Vërtetë se Flamuri Kombëtar mund të ngrihet kudo në teori, por në praktikë, u pa se nuk mund të ndodh në Veri të Mitrovicës, as të kalojnë “kufirin imagjinar” të “sovranitetit” që e kanë shtrirë Kurti me sherifët e tij ministra – revolverësh.
Kjo ngre një pyetje të thjeshtë, por të hidhur për ish-kryeministrin: a ka sovranitet Kosova në Veri, apo kemi vetëm deklarata patriotike për retorikë elektorale dhe selfie pushtetarësh në ditë të festave?
Edhe parada e ish-pushtetarëve në shënimin e kësaj dite sublime për identitetin kombëtar, deklaratat e tyre mediatike, urime për “ditën e pavarësisë së Shqipërisë” dhe lavdërime për “ngritjen” e Flamurit Kombëtar, nuk ishin thjesht gabime të vogla, por dëshmi e analfabetizmit funksional jo vetëm në nivele të rëndomta përkrahësish, por edhe në nivelet më të larta të pushtetit.
Me improvizime e mashtrime politike, nuk shkohet larg.
