Abazi shpërthen ndaj rritjes së çmimeve: Nuk jemi të varfër, jemi të mashtruar!
Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi ka reaguar ashpër ndaj ngritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazike dhe faturave të energjisë elektrike duke e cilësuar situatën si mashtrim të qytetarëve dhe jo varfëri reale të vendit.
“Nuk jemi të varfër, jemi të mashtruar!”, shkroi Abazi, teksa publikoi krahasimet e fundit të çmimit të vezëve: 5.50 euro sot, 4.20 euro një muaj më parë, 2.5 euro dy vite më parë dhe vetëm 2 euro tre vite më herët.
Ai njëkohësisht kritikoi operatorët energjetikë për faturat e reja, të cilat sipas tij po llogariten me tarifa dimërore për të paktën tre muaj me radhë, pavarësisht se sezoni dimëror në Kosovë fillon zyrtarisht më 21 dhjetor.
Abazi ironizoi me pushtetarët dhe të privilegjuarit duke thënë se “nga xhamat e errët të xhipave të zinj nuk shihet çmimi i vezëve”, ndërsa në disa shtëpi, sipas tij, faturat e energjisë paguhen “me bukë, kripë e zemër” nga donatorë të huaj, ose “Vuk Hamoviq bën përjashtime për klientë special”. /Kosova.info/
