Bislimi: Isha i saktë që më 24 maj 2023 – vendimi i Abdixhikut e vërtetoi devijimin e LDK-së
Faton Bislimi ka reaguar ashpër pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarit Lumir Abdixhiku për të hapur dyert e bashkëpunimit parazgjedhor me figura politike që deri dje konsideroheshin kundërshtarë të LDK-së. Ai thotë se ky zhvillim konfirmon paralajmërimet që kishte dhënë që më 24 maj 2023, ditën kur kishte dhënë dorëheqjen nga Kryesia e LDK-së.
Bislimi kujton se në tri momente kyçe kishte tentuar t’i jepte LDK-së mundësi për reformim e rikthim te vlerat e saj themelore: më 24 maj 2023 kur paralajmëroi devijimin e lidershipit, më 19 nëntor 2023 kur ofroi garë në Kuvendin e X Zgjedhor, dhe më 28 nëntor 2024 kur shprehu vullnet për të përkrahur LDK-në në zgjedhjet e shkurtit 2025. Në të gjitha rastet, sipas tij, oferta u injorua dhe u refuzua.
Ai publikoi sërish pjesë nga letra e dorëheqjes së vitit 2023, në të cilën kritikonte “personalizimin e skajshëm”, “injorimin e paarsyeshëm” dhe fokusin e lidershipit në “sforcimin e pozitave personale e jo të partisë”. Bislimi thotë se kishte zgjedhur LDK-në e idealeve kombëtare, të djathtizmit autentik rugovist dhe të respektimit të aktivistëve, e jo LDK-në që udhëhiqet nga interesa personale e grupore.
Sipas tij, vendimi i fundit i Abdixhikut për të garuar në një listë të përbashkët me Fatmir Limajn në zgjedhjet e 28 dhjetorit është “vulosje apostile” e të gjitha paralajmërimeve të tij. Bislimi pyet se ku mbetën idealet, djathtizmi dhe vlerësimi i kontribuuesve të LDK-së, duke thënë se mbi hirin e tyre “u ngritën përfituesit politikë dhe makinacionet e titullarëve”.
Ai kundërshton edhe akuzat se “këto çështje duhen diskutuar brenda shtëpisë”, duke theksuar se ka shteruar çdo përpjekje brenda partisë para se të dalë publikisht. Po ashtu, ai e quan ofendim pretendimin se po sulmon LDK-në në prag zgjedhjesh, duke theksuar se veprimet e tij janë të bazuara në parim.
Në fund, Bislimi thekson se bindja e tij mbetet e pandryshuar: Kosovës i duhet një forcë politike e djathtë, me identitet të pastër kombëtar dhe me vlera të qëndrueshme, dhe se një forcë e tillë do të ndërtohet patjetër.
“Kosovës i duhet një forcë politike e djathtizmit autentik kombëtar. Dhe, do ta ketë! Duhet!” – përmbyll ai reagimin. /Kosova.info/
