Nisma nuk merr pjesë në seancën e orës 11:00
NISMA Socialdemokrate njofton se nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të thirrur në orën 11:00. Ky subjekt politik ka thënë se seanca është thirrur me urgjencë e pa konsultim paraprak me subjektet politike.
Në reagimin e saj, Nisma Socialdemokrate thekson se në rend dite figurojnë çështje me peshë të madhe për vendin, por që po trajtohen me ngut dhe pa seriozitet institucional.
“Tema të tilla kërkojnë përgjegjësi institucionale, përgatitje dhe debat serioz, jo nxitim e improvizime”, thuhet në njoftim.
Nisma kritikon edhe mënyrën e thirrjes së seancës së nesërme, duke thënë se është bërë pa agjendë të dakorduar dhe pa respektim të rregullave parlamentare.
“Thirrja e kësaj seance, pa agjendë të dakorduar, pa konsultim dhe pa respektim të rregullave parlamentare, nuk e pasqyron seriozitetin që kërkojnë marrëveshjet ndërkombëtare, angazhimet financiare dhe çështjet buxhetore. Këto tema nuk mund të trajtohen si dekor për fushatë dhe as si instrument i propagandës ditore. Për këto arsye, NISMA Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në këtë seancë të improvizuar”, thuhet në njoftim.
Tutje NISMA thotë se mbesin të përkushtuar ndaj zgjidhjeve që i shërbejnë qytetarëve, që rikthejnë normalitetin institucional dhe që respektojnë rendin kushtetues.
“Në këtë moment vendi ka nevojë për qartësi, përgjegjësi dhe veprim të matur, jo për lëvizje të nxituara me prapaskenë elektorale”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/
