Senati, me mbështetjen e Trump, shtyn përpara sanksionet ndaj Rusisë

Senatori Lindsey Graham tha se “me bekimin e presidentit Trump”, Senati do të ndërmarrë hapa për sanksionet.

Senati, me mbështetjen e Trump, shtyn përpara sanksionet ndaj Rusisë

Senatori Lindsey Graham tha se “me bekimin e presidentit Trump”, Senati do të ndërmarrë hapa për sanksionet.

Senati do të paraqesë një projektligj që do të vendosë sanksione për partnerët tregtarë të Rusisë, tha të hënën senatori Lindsey Graham, duke shtyrë përpara një nismë që synon të rrisë presionin ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti Donald Trump u tha gazetarëve të dielën në mbrëmje se legjislacioni i propozuar i Senatit “është në rregull për mua”, duke dhënë miratimin më të fortë për sanksionet. Në një postim në X, Graham, një përkrahës i madh i projektligjit, shkroi se “me bekimin e presidentit Trump”, Senati do të ecë përpara me sanksionet për “të vazhduar momentumin drejt përfundimit të kësaj lufte me nder, drejtësi dhe përgjithmonë”, raporton Politico.

“Ky legjislacion synon t’i japë presidentit Trump më shumë fleksibilitet dhe fuqi për ta shtyrë Putinin drejt tryezës së paqes duke goditur si Putinin, ashtu edhe vendet si Irani që e mbështesin atë,” shkroi Graham. “Vlerësoj mbështetjen e fuqishme dypartiake për këtë legjislacion si në Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe në Senat”, ka shtuar ai.

Senatorët kishin hezituar të vepronin pa mbështetjen e shprehur nga Presidenti dhe projektligji kishte mbetur pezull prej disa javësh, ndërsa Trump takohej me presidentin rus Vladimir Putin. Por mbështetja e presidentit tani hap rrugën që Kongresi të votojë rezolutën, e cila ka më shumë se 80 bashkësponsorë në Senat.

Legjislacioni do t’i lejonte Trump-it të vendosë sanksione dytësore ndaj vendeve si Kina dhe India që blejnë naftë dhe gaz nga Rusia, me qëllim ndërprerjen e të ardhurave që Rusia fiton nga eksportet e energjisë, të ardhura që financojnë kryesisht luftën e saj në Ukrainë.

Në deklaratat e tij për gazetarët të dielën, Trump sinjalizoi gjithashtu se do të konsideronte shtimin e Iranit në listën e vendeve që mund të goditen.

Go to TOP