Me aktivitete sportive e kreative shënohet 26 vjetori i SHKK-së

Me aktivitete sportive, rekreative dhe kreative është shënuar 26 vjetori i themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës në Qendrën Korrektuese të Smrekonicës.

Sipas SHKK-së, aktivitetet e tilla synojnë të promovojnë bashkëpunimin, disiplinën dhe zhvillimin personal të personave të privuar nga liria.

“Gjatë ditës, u organizuan tre disiplinat garuese shah, pingpong dhe kuiz enigmatik, si dhe një aktivitet kreativ për realizimin e muralit me logon e SHKK-së, ku u angazhua edhe një i dënuar me aftësi artistike”, thotë SHKK-ja.

Në këto aktivitete thuhet se morën pjesë rreth 50 të burgosur, të cilët treguan angazhim të lartë, sjellje shembullore dhe respektim të rregullave të garës.

Ceremonia sipas SHKK-së u përmbyll me ndarjen e çmimeve nga Drejtori i Qendrës, Avni Miftari, në një atmosferë pozitive dhe motivuese.

“Në fjalën e tij, drejtori përshëndeti pjesëmarrësit, uroi fituesit dhe vlerësoi organizimin si një shembull të angazhimit institucional në funksion të rehabilitimit dhe integrimit social të personave të privuar nga liria”.

Shërbimi korrektues thotë se aktivitete të tilla kontribuojnë drejtpërdrejt në realizimin e objektivave të SHKK-së për krijimin e kushteve që nxisin disiplinën, zhvillimin personal, qasjen pozitive dhe përfshirjen aktive të të burgosurve në veprimtari të dobishme.

Go to TOP