Shala: Rritje e madhe e importit të energjisë elektrike, të largohet nga pushteti sa më shpejt ky mentalitet që bllokon projektet
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, deklaron se “nga viti 2019 deri në vitin 2025, Kosova ka parë një rritje të madhe të varësisë nga importi i energjisë elektrike”. Ferati thotë se “shpenzimet për import janë rritur nga rreth 50 milionë euro në vitin 2019, në mbi 168 milionë euro në vitin 2024”.
“Po ashtu, edhe sasia e energjisë së importuar është rritur dukshëm: nga 890 mijë MWh në vitin 2019 në mbi 1.3 milionë MWh në vitin 2024”, vijon deputeti Shala.
“Këto shifra nuk janë rastësi. Ato janë pasojë e performancës së dobët të prodhimit vendor, sidomos të termocentraleve të KEK-ut, të cilat vazhdimisht përballen me rënie të njësive, riparime të stërzgjatura dhe efikasitet të ulët. Çdo mungesë në prodhim duhet mbuluar me import, shpesh me çmime të larta, duke krijuar hapësirë për përfitime të ndërmjetësve dhe tregtarëve”, deklaron deputeti.
Tutje, ai vlerëson se “në fund, barrën e paguajnë qytetarët, përmes rritjes së tarifave të aprovuara nga ZRRE. Një situatë e tillë nuk ndodh pa koordinim institucional, me Qeverinë e Republikës së Kosovës si përgjegjëse direkte”, shprehet ai.
Shala shprehet se “sa më shpejt të largohet nga pushteti ky mentalitet që bllokon zhvillimin e projekteve të reja, aq më shpejt qytetarët do të kenë furnizim të qëndrueshëm, siguri energjetike dhe çmime të përballueshme”.
