“Humanus Vita” organizon tryezë për dinjitetin e grave migrante: kërkohet mbrojtje më e fortë ligjore dhe mbështetje institucionale
Në Prishtinë është mbajtur tryeza me temën “Përtej uniformës, dinjitet për gratë migrante”, e organizuar nga Humanus Vita, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, organizatave vendore e ndërkombëtare dhe mediave. Qëllimi i diskutimit ishte ndriçimi i gjendjes dhe sfidave me të cilat përballen gratë migrante në Kosovë, si dhe nxitja e veprimeve konkrete për mbrojtjen dhe fuqizimin e tyre.
Drejtoresha Ekzekutive e Humanus Vita, Doruntina Gashi, tha se kjo iniciativë avokuese dhe mediatike me ndjeshmëri gjinore realizohet në kuadër të projektit të ECMI Kosovo “Fuqizimi i Qeverisjes së Migracionit dhe Kapaciteteve të Shoqërisë Civile në Kosovë,” të mbështetur nga GIZ Kosovo.
Sipas saj, qëllimi kryesor i fushatës është rritja e ndërgjegjësimit publik dhe institucional për trajtimin dinjitoz të grave migrante përmes angazhimit mediatik dhe avokimit strategjik.
“Projekti synon të adresojë dobësitë sistemike me të cilat përballen punëtoret migrante në Kosovë, si mungesa e kontratave, mbrojtjes ligjore dhe mbështetjes institucionale,” theksoi Gashi.
Ajo njoftoi se në kuadër të projektit janë realizuar tri emisione televizive dhe një spot ndërgjegjësues, me pesë rrëfime reale nga gra migrante, që synojnë të humanizojnë përvojat e tyre dhe të nxisin empatinë e publikut.
“Rëndësia e këtij projekti qëndron në qasjen e tij të dyfishtë: fuqizimin e grave migrante për të ngritur zërin dhe nxitjen e institucioneve për të miratuar politika gjithëpërfshirëse e të përgjegjshme,” shtoi ajo.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme, Kushtrim Nreci vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional në fushën e migracionit dhe inkurajoi zhvillimin e më shumë projekteve me ndikim të drejtpërdrejtë për viktimat e shfrytëzimit.
Ndërkohë, Arton Qerkini nga Inspektorati Qendror i Punës theksoi se megjithëse kuadri ligjor është i mirë, sfidë mbetet mungesa e inspektorëve të punës dhe pamundësia për të inspektuar ambientet private ku punojnë gratë migrante.
Fidane Zekaj, këshilltare juridike në Zyrën e Avokatit të Popullit, bëri të ditur se janë trajtuar katër ankesa nga gra migrante që lidhen me shkelje të të drejtave të tyre, ndërsa Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës raportoi për dy raste dhune në familje ndaj grave migrante të martuara me shtetas kosovarë – njëra shtetase arabe dhe tjetra kolumbiane.
Përfaqësues të IOM-it, zyrtarë komunalë, gazetarë dhe organizata të tjera dhanë rekomandime konkrete për përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e mbrojtjes së grave migrante dhe parandalimin e shfrytëzimit në punë.
Tryeza përmbylli punimet me thirrjen për bashkëpunim të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile, në mënyrë që të garantohet dinjiteti, siguria dhe barazia e grave migrante në Kosovë. /Kosova.info/
