Ronaldo thotë se Botërori 2026 do të jetë turneu i fundit i madh për të

Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se do të tërhiqet nga futbolli brenda një ose dy vitesh, duke bërë të ditur se Kupa e Botës 2026 do të jetë turneu i tij i fundit.

Ylli portugez, i cili ka shënuar mbi 950 gola për klube dhe kombëtare, kishte debutuar në vitin 2002 me Sporting Lisbonën dhe ka fituar shumë tituj gjatë karrierës së tij.

Aktualisht dyzet vjeçar dhe me kontratë te Al Nassr deri në vitin 2027, Ronaldo është ende në formë të mirë dhe synon të luajë edhe në Botërorin e ardhshëm në SHBA, Kanada dhe Meksikë. 

“Po e shijoj shumë këtë moment. Ndihem mirë, shënoj gola, jam ende i shpejtë dhe në formë. Por, për ta thënë sinqerisht, ‘së shpejti’ për mua do të thotë ndoshta një ose dy vjet”, ka thënë Ronaldo.

Ronaldo është shprehur se ka dhënë gjithçka për futbollin gjatë njëzet e pesë viteve të karrierës.

Ai ka folur edhe për të birin, Cristiano Jr., i cili luan për Kombëtaren U-16 të Portugalisë.

“Si njerëz, s’duam askush të jetë më i mirë se ne, por unë do të isha i lumtur nëse djali im do të bëhej më i mirë se unë. S’kam xhelozi. Dua vetëm që ai të jetë i lumtur, pa presion, qoftë në futboll apo në diçka tjetër. Kjo është një gjeneratë e re, me mendime dhe mënyra të tjera jetese. Unë jam aty për ta ndihmuar të bëhet ai që dëshiron të jetë”, ka thënë ai. 


Go to TOP