Peci: Njohjet e reja të Kosovës po rikthejnë legjitimitetin ndërkombëtar të shtetësisë sonë
Drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci, ka vlerësuar se viti 2025 do të mbahet mend si një vit i rëndësishëm për afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, pas njohjeve të reja nga Kenia, Sudani dhe Siria.
Sipas Pecit, këto tri njohje kanë krijuar një dinamikë të re të legjitimitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës duke e rikthyer procesin e njohjeve që kishte mbetur në vendnumëro që nga njohja e fundit nga Izraeli në vitin 2020.
Ai theksoi se kjo dinamikë është reflektim i ndryshimeve të thella gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe në arenën globale – përfshirë dobësimin e ndikimit rus pas agresionit në Ukrainë, ndryshimet në lidershipin amerikan, rënien e ndikimit të Iranit dhe afrimin mes Turqisë dhe Arabisë Saudite.
Peci shtoi se këto zhvillime mund të hapin perspektivë të re për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si INTERPOL dhe UNESCO. Megjithatë, ai paralajmëroi se një hap i tillë kërkon mbështetje të fuqishme nga vendet perëndimore, e cila për momentin është e vështirë për t’u siguruar.
“Shpresoj që së shpejti të krijohen kushte për tejkalimin e këtyre vështirësive, dhe për këtë na duhet një lidership qeveritar progresiv e liberal, me agjendë të qartë reformuese dhe të politikës së jashtme”, deklaroi Peci duke shtuar se një qasje e tillë do të krijonte rrethana të favorshme për mbështetje të re perëndimore.
Në përfundim, ai theksoi se me këtë përkrahje, Kosova do të mund të bëjë hapa të tjerë përpara drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe kapërcimit të bllokadave nga “pesëshja” mosnjohëse brenda Bashkimit Evropian.
“Nuk e kemi komoditetin që për shkak të një lisi të mos e shohim malin!”, përfundoi Peci. /Kosova.info/
