Festivali ‘Kosovarja këndon’ sivjet shënon 25-vjetorin e themelimit

Pjesë e festave të nëntorit do të jetë edhe festivali “Kosovarja Këndon 2025” që ruan një traditë më shumë se gjysmë shekulli.

Për edicionin e 53-të tashmë kanë filluar audicionet për pjesëmarrësit dhe qyteti i Ferizajt do të pres zëra të bukur e unik, anë e mbanë vendit por edhe përtej kufijve.

Organizatorët edhe sivjet janë këmbëngulës për ruajtjen e traditës së këngës së mirëfilltë shqipe.

 “Vijnë këngë dhe ne përzgjedhim më shumë këngë të bukura e që i rikthejmë në skenë me një ri- orkestrim dhe më një interpretim gjithmonë prej vajzave, shumica prej të cilave ngjiten për herë të parë në skenë”, ka thënë Astrit Mustafa, organizator i festivalit.

Për të mbetur për kaq vite, unik në llojin e vetë, nëpër kohë ky festival ka arritur të nxjerrë talente e artistë që i bëjnë nder skenës kombëtare të muzikës.

Pjesëmarrësit në audicione nënvizojnë se ky festival është një mundësi për prezantimin e vlerave të këndimit.

“E kam përcjellur edhe më herët edhe e kam parë që është një mundësi shumë e mirë për ta treguar veten”, ka thënë këngëtarja Eliesa Rama.  

“Po ndihem shumë mirë që jam prapë pjesë e festivalit popullor ‘Kosovarja Këndon’ është një festival me shumë vlera dhe një festival shumë i veçantë”, tha këngëtarja Donika Kovani.

Festivali “Kosovarja Këndon 2025” do të begatojë madhështinë e festave të nëntorit, ndërkohë që në skenë pritet të paraqiten 16 këngëtarë.

Go to TOP