Vizita e shefes së KE-së në Kosovë, Policia njofton për ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në trafik
Sot, në Kosovë do të qëndrojë për vizitë zyrtare presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, veçanërisht gjatë lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit në vend.
Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës, Policia njofton se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta.
“Ky proces mund të përfshijë edhe riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik,” thuhet në njoftim.
Policia bën apel tek qytetarët që të respektojnë masat dhe të planifikojnë udhëtimet duke marrë parasysh këto ndërprerje të përkohshme.
