Arrestohet një edukatore e dyshuar për dhunë ndaj një fëmije në Lipjan
Një edukatore në Lipjan është arrestuar nga Policia e Kosovës pas denoncimit për dhunë ndaj një fëmije të moshës një-vjeçare.
Lajmin e arrestimit e ka konfirmuar për RTKlive zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Po pas përfundimit të disa veprimeve hetimore është arrestuar personi i dyshuar dhe me vendim të prokurorit e njëjta është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur Ahmeti.
Rasti u bë publik nga daja i fëmijës, i cili përmes rrjeteve sociale tha se vajza ka marrë lëndime serioze në fytyrë. Ai pretendon se ngjarja ka ndodhur pasi fëmija është rrëzuar nga mësuesja Behare Gashi.
“Jam i tronditur dhe i lënduar për mbesën time. Asnjë fëmijë nuk duhet të kalojë përvojën që pësoi ajo. Fëmijët duhet të jenë të mbrojtur në shkolla, jo të dëmtohen nga ata që duhet t’i edukojnë,” shkroi familjari në reagimin e tij, duke kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për këtë veprim të papranueshëm.
