Nagelsmann synon dy fitore për ta mbajtur Gjermaninë në garë për Botëror
Përzgjedhësi i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka theksuar se synimi kryesor i ekipit që e drejton është të marrë dy fitore në ndeshjet e radhës të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, kundër Luksemburgut dhe Irlandës së Veriut.
Pas dy ndeshjeve të para në Grupin A, “pancerat” kanë një fitore dhe një humbje: humbje 2-0 në udhëtim te Sllovakia, ndërsa më pas fitore 3-1 ndaj Irlandës së Veriut , duke u renditur në vendin e tretë me tre pikë, aq sa edhe Irlanda e Veriut, por me golaverazh më të dobët. Sllovakët e kryesojnë grupin me gjashtë pikë, ndërsa Luksemburgu mbetet në fund pa pikë.
“Dy fitore janë objektivi ynë i qartë për të siguruar kualifikimin direkt. Edhe pse na mungojnë disa lojtarë, besoj se kemi mjaft cilësi për të bërë më mirë se ndeshjet e fundit”, ka thënë Nagelsmann.
Gjermania do të jetë pa Antonio Rudiger dhe Jamal Musiala për shkak të lëndimeve, ndërsa rikthehet Nico Schlotterbeck. Në listë janë përfshirë gjithashtu mesfushori i Bayern Munich, Aleksandar Pavlovic, si dhe sulmuesit Jonathan Burkardt, Nick Woltemade dhe Maximilian Beier.
