​Fajde dhe vepra të tjera, aktakuzë ndaj dy personave

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet B.M. dhe Q.M., për disa vepra të rënda penale që lidhen me fajde, shpëlarje parash, falsifikim dokumentesh, mashtrim dhe kanosje.

Sipas aktakuzës, të pandehurit gjatë vitit 2020 në kundërshtim me ligjin kanë kontraktuar një shumë të konsiderueshme e joproporcionale të pasurisë në këmbim të një shërbimi ndaj të dëmtuarit duke i dhënë atij para me fajde disa herë. Për shkak se i dëmtuari nuk ka arritur t’i kthejë mjetet financiare, dyshohet se B.M. dhe Q.M. ia kanë tjetërsuar pronën në Prishtinë.

Më tej, Prokuroria ngre dyshime të bazuara se të pandehurit në bashkëkryerje duke ditur se pasuria rrjedh nga aktiviteti kriminal, e kanë konvertuar në mënyrë të kundërligjshme me qëllim përfitimi dhe fshehjeje të vlerës reale duke u shkaktuar të dëmtuarve dëm material në vlerë prej 6.3 milionë euro.

Në aktakuzë thuhet se këto veprime bien në kundërshtim me nenin 56 paragrafi 1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

PSRK i ka propozuar Gjykatës që të anulohen në tërësi të gjitha veprimet juridike të kundërligjshme të kryera nga të pandehurit. /Kosova.info/

Go to TOP