Presidentja Osmani pas takimit me Trump: Kosova gjithmonë në krah të SHBA-ve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në New York me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, dhe Zonjën e Parë, Melania Trump. Në takim mori pjesë edhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu.

Osmani tha se takimi, i planifikuar si protokollar, u shndërrua në një bisedë të gjatë dhe përmbajtësore.

“Faleminderit Presidentit Trump për interesimin e veçantë që tregoi rreth rolit të pazëvendësueshëm të Amerikës në Kosovë dhe në rajonin tonë, si dhe për angazhimin e tij të palodhshëm për paqe”, ka deklaruar Osmani.

Ajo theksoi se miqësia me SHBA-të është thelbësore për Kosovën.

“Miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet boshti i pathyeshëm. Kosova do të jetë gjithmonë në anën e demokracisë, lirisë dhe partneritetit me SHBA-të, sepse pikërisht aty rreh zemra e lirisë sonë”, ka shtuar Presidentja Osmani.


Go to TOP