Rusia kryen sulm në Zaporizhia të Ukrainës, raportohet për tre të vrarë
Një sulm rus në qytetin juglindor ukrainas, Zaporizhia, të hënën në mëngjes la të vrarë tre njerëz dhe dy të tjerë pësuan lëndime, thanë zyrtarët ukrainas.
“Mëngjesi i së hënës në Zaporizhia filloi me shpërthime dhe zjarre” – shkroi guvernatori Ivan Fedorov, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai tha se forcat ruse përdorën të paktën dhjetë bomba ajrore gjatë sulmit ndaj qytetit me rreth 700 mijë banorë.
Sipas guvernatorit, nga sulmi u dëmtuan 15 ndërtesa banesore dhe dhjetë shtëpi private si dhe ndërtesa të tjera që nuk ishin të banimit.
Forca ajrore ukrainase tha se rrëzoi 132 dronë të lëshuar nga Rusia gjatë natës së kaluar dhe regjistroi goditje nga nëntë dronë në shtatë vende.
Në rajonin verilindor Sumy, nga sulme të ndryshme me dronë u lënduan dy persona gjatë 24 orëve të fundit, përpos dëmeve ndaj infrastrukturës civile dhe shtëpive private, tha guvernatori Oleh Hryhorov.
Një sulm në rajonin e Kievit la të lënduar një person dhe dëmtoi ndërtesa banesore e shtëpi private, sipas shërbimeve emergjente.
