Kur opozita është problemi, jo zgjidhja
Shkruan: Kadri KRYEZIU
Politika në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut është manuali më i thjeshtë i Ballkanit: pushteti nuk fitohet me ide, por me opozitë që vetëvritet.
Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk kanë nevojë të djersiten. Opozita shqiptare mjafton të futet në zgjedhje e ndarë në shtatë pjesë, të grindet për flamurin, logon e vulën. Në fund, Rama fiton pa lëvizur qerpikët, sepse rivalët e tij ia bëjnë punën falas. Ai nuk ka pse të shpikë ide, kur kundërshtarët prodhojnë vetëm manovra qesharake.
Në Maqedoni, për dy dekada, Ali Ahmeti dhe BDI fitonin jo se ishin të pathyeshëm, por sepse rivalët garonin me pesë vula e dhjetë kryetarë e asnjë ide. Ahmeti nuk kishte pse të ishte kreativ – opozita e bënte për turp vetë, duke ia dhuruar pushtetin me duar të lidhura.
E njëjta recetë po përsëritet në Kosovë. Albin Kurti dhe VETËVENDOSJE nuk kanë pse të trazohen. Përballë kanë një opozitë që ngjan më shumë me një klub nostalgjikësh sesa me parti politike. Fragmentuar, pa ide, pa guxim, shpesh edhe pa një lider që di të lidhë një fjali me fuqi për të prodhuar momentum të ri politik. Në këtë gjendje, Kurti nuk është thjesht kryeministër – ai është kryeministër me kontratë pa afat. Dhe të vetmit që mund t’ia shkëpusin kontratën janë njerëzit e tij, jo rivalët.
Dallimet mes SHBA-së dhe Kurtit nuk janë sekret. Amerikanët nuk do ta qanin hallin sikur të kishte një qeveri tjetër. Por ja që nuk ka. Sepse nuk është se ambasadori amerikan do t’ia shkruajë PDK-së ose LDK-së programin politik se si duhet rrëzuar Kurti. Në fund të ditës, ata duhet të dinë të shkruajnë vetë një paragraf – dhe pikërisht aty nis tragjikomedia.
Në Maqedoni, Ahmetin e rrëzoi VLEN-i – bashkimi i partive rivale që më në fund e kuptuan se vetëm të bashkuar mund të mposhtnin një makineri të lodhur. A mund të ndodhë një VLEN edhe në Kosovë?
Teorikisht, po. Praktikisht, është e pamundur. Sepse për ta bërë një VLEN kosovar, opozita duhet të mbyllë egot, të lërë pas nostalgjitë dhe të marrë përsipër rrezikun e përgjegjësisë. Por kjo është më shumë ëndërr se realitet.
Deri atëherë, Albini do të vazhdojë të qeverisë me të njëjtën recetë: të rrijë në karrige dhe të presë. PDK, LDK e AAK do ta bëjnë pjesën tjetër, duke u përpjekur të mposhtin njëri-tjetrin më shumë sesa Kurtin dhe, pa e kuptuar, do ta furnizojnë edhe më shumë pushtetin e tij.
Pra pushteti i pa sfiduar i Kurtit mbetet garancia më e sigurt e paaftësisë së tyre.
