Ademi pas Zenelit e takon edhe Celinën

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka vlerësuar kontributin e futbollistit Bersant Celina te Kosova. 

Disa ditë më parë, Ademi e ka takuar edhe futbollistin tjetër të Kosovës, Arbër Zeneli. Megjithatë, as Celina dhe as Zeneli nuk janë grumbulluar për ndeshjet e këtij muaji të Kosovës ndaj Zvicrës dhe Suedisë, një vendim që është kritikuar nga njohës të futbollit, të cilët kanë theksuar se të dy lojtarët që aktivizohen në kampionatin suedez do të njihnin mirë ekipin skandinav.

Megjithatë, Kosova ka arritur fitore edhe pa këta dy futbollistë ndaj Suedisë, duke fituar me rezultat 2-0. 

Ademi ka kujtuar se Celina e kishte zgjedhur me zemër të luajë për Kosovën, pavarësisht se fillimisht kishte pasur vështirësi në komunikim në gjuhën shqipe.

“Me Bersant Celinën, djaloshin që la Norvegjinë për të veshur fanellën e Kosovës. Që në moshën 16-vjeçare u paraqit me Kombëtaren U21, ndërsa vetëm një vit më vonë ishte në ekip me Kombëtaren A, në miqësoren historike Kosovë – Haiti. Talenti i Manchester City-t u bë shpejt idhulli i tifozëve ‘Dardanët’. Për ne, ai ka një rol të veçantë në ndërtimin e kësaj Kombëtareje dhe kontributi i tij do të vlerësohet gjithmonë”, ka shkruar Ademi.

Ai ka shtuar se pas një periudhe të vështirë me lëndime dhe ndërrime klubesh, Celina është rikthyer fuqishëm. Celina nga vitit 2023 luan te AIK në kampionatin suedez. 

Go to TOP