Rama: Kryeqyteti inauguron fushën e parë të futbollit vetëm për vajza në Kosovë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se për herë të parë në Kosovë është ndërtuar një fushë futbolli dedikuar vetëm për vajza.

Ai theksoi se kjo hapësirë u krijua për t’i dhënë vajzave të kryeqytetit mundësinë që të ëndërrojnë, të garojnë dhe të fitojnë në një ambient që u takon atyre.

“KFV Prishtina, që nga dita e parë, i ka hapur dyert për vajzat nga mosha 5-vjeçare e deri te senioret, pa asnjë pagesë. Ne, si Kryeqyteti, vazhdojmë t’i përkrahim”, deklaroi Rama.

Sipas tij, kjo fushë nuk është vetëm sport, por simbolizon barazi, mundësi dhe një premtim për një gjeneratë vajzash që rriten të gatshme të arrijnë majat.

Ky projekt shihet si një hap i rëndësishëm për promovimin e sportit femëror dhe për fuqizimin e vajzave në shoqëri. /Kosova.info/

Go to TOP