Nimani: Kosova e infektuar nga “epidemia e ligësisë”, pushteti i ka kthyer sytë vetëm nga interesat e veta

Artan Nimani nga Nisma Socialdemokrate ka deklaruar se Kosova sot po përballet me një “epidemi të ligësisë”, e cila, sipas tij, ka infektuar jo vetëm jetën e përditshme të qytetarëve, por sidomos politikën dhe qeverisjen.

Ai theksoi se mosfunksionimi i institucioneve, mungesa e dialogut politik dhe prishja e raporteve me aleatët strategjikë kanë ecur përpara duke e bërë Kosovën më të brishtë në arenën ndërkombëtare.

“Moskonstituimi i institucioneve në kohë, dështimet në qeverisje dhe neglizhenca ndaj parimeve të partneritetit ndërkombëtar po e thellojnë krizën e shtetit,” tha Nimani.

Duke iu referuar proceseve gjyqësore në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së, ai shtoi se ato duhej të trajtoheshin me dinjitet dhe mbrojtje institucionale, por në vend të kësaj po përballen me indiferencë nga një klasë politike e përqendruar vetëm në interesa pushteti.

Sipas tij, heshtja e qeverisë ndaj sanksioneve dhe izolimit diplomatik po e largon Kosovën nga aleatët që dikur e mbështetën fuqishëm.

Nimani paralajmëroi se sistemi shtetëror është futur në një “çoroditje të rrezikshme”, ku pushtetet po përzihen dhe zgjedhjet po kthehen në cikle të pafundme krizash.

“Kjo epidemi e ligësisë nuk është thjesht krizë morale; është rrezik real për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit. Nevojitet përgjegjësi politike, qeverisje transparente dhe rikthim i besimit te aleatët dhe qytetarët, përndryshe Kosova rrezikon të humbasë shumë nga ato që janë fituar me sakrificë,” përfundoi Nimani. /Kosova.info/


Go to TOP