Cakolli: Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së, por tregoi edhe dobësinë tonë si shoqëri
Analisti i KDI-së, Eugen Cakolli, ka reaguar pas dëshmisë së James Rubin në Hagë duke e cilësuar atë si një moment që dekonstruktoi propagandën e ndërtuar prej vitesh kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, Rubin tregoi qartë se lidershipi i UÇK-së nuk përfaqësohej nga komandantët ushtarakë të terrenit, por nga faktorë politikë dhe diplomatikë, të cilët siguruan mbështetjen e Perëndimit – vendimtare për fatin e Kosovës.
Megjithatë, Cakolli theksoi se entuziazmi i sotëm shpërfaq një problem të brendshëm të shoqërisë kosovare.
“Duhej një i huaj të vinte e të na rikujtonte dhe konfirmonte atë që ne vetë duhet ta dinim, ta mbronim dhe ta artikulonim. Ndërkohë ne mbetemi të ndarë në vija politike, të brishtë dhe të paaftë për të mbrojtur kolektivisht të vërtetën tonë historike,” tha ai.
Cakolli e përmbylli reagimin e tij duke e cilësuar dëshminë e Rubin-it si një kujtesë të fortë për drejtësinë ndërkombëtare, por edhe si një paralajmërim për shoqërinë kosovare që duhet të artikulojë vetë me dinjitet të kaluarën e saj. /Kosova.info/
