Krasniqi: Rubin tregoi se komandant i UÇK-së ishte Agim Çeku, jo Hashim Thaçi

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka komentuar deklarimet e James Rubin lidhur me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke theksuar se këto dëshmi e konfirmojnë drejtësinë e luftës, por po ashtu hedhin dritë mbi të vërteta të pathëna për publikun shqiptar në këto 25 vite.

Sipas Krasniqit, Rubin ka bërë të qartë tri pika thelbësore.

“Udhëheqja e UÇK-së. Hashim Thaçi nuk ka qenë komandant apo udhëheqës i UÇK-së, por këtë rol e ka mbajtur Agim Çeku. “Është koha që t’ia njohim këtë rol e vlerë gjeneral Çekut, të cilën ia kanë mohuar në luftë edhe pas luftës.

Rambujeja pa pavarësi. Delegacioni i Kosovës në Rambuje, i kryesuar nga Thaçi, ishte i gatshëm të pranonte një marrëveshje ku nuk përmendej pavarësia, por falë presionit të komandantëve dhe luftëtarëve në terren u shmang një zgjidhje e tillë.

Marrja e përgjegjësisë për krimet. Krasniqi theksoi se është pranuar marrja e përgjegjësisë për çdo krim që mund të kryhej pas përfundimit të luftës në emër të UÇK-së”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se kjo është një mundësi për ta parë të kaluarën me realizëm dhe për të vlerësuar me drejtësi figurat e luftës duke ritheksuar se UÇK-ja ka zhvilluar një luftë të drejtë dhe legjitime. /Kosova.info/


Go to TOP