Kërkohet paraburgim ndaj V.K. për tentativë vrasjeje në Gjakovë
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ndaj të pandehurit me inicialet V.K. është marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve dhe është paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet V.K., më datë 14.09.2025 rreth orës 11:00, në rrugën ‘Washington’ Gjakovë, saktësisht në pjesën e jashtme të kafiterisë ‘C.P.’ me dashje ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin R.B.,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas njoftimit, i pandehuri pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarin, me mjet të mprehtë – thikë, që e posedonte me vete e ka sulmuar atë duke e goditur tri herë në pjesët vitale të trupit, respektivisht dy herë në stomak dhe në dorë.
“Si pasojë e lëndimeve të pësuara nga goditjet me thikë, i dëmtuari menjëherë dërgohet në emergjencën e Spitalit Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë dhe më pas për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, dërgohet në QKUK për trajtim mjekësor,” thekson Prokuroria.
“Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale, vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së,” vijon njoftimi.
I pandehuri që nga data 14 shtator 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.
