Hyseni: Suspendimi i dialogut me SHBA ishte i pritshëm, vetëm injorantët mund të jenë befasuar
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ka reaguar ashpër pas suspendimit të dialogut strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke thënë se ky ishte një lajm i pritshëm.
“Suspendimi i dialogut, madje edhe për partneritet strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, për fat të keq ishte lajm që pritej. Vetëm injorantët mund t’i ketë befasuar! S’ka më keq,” ka shkruar Hyseni.
Ai ka kujtuar se pesë vjet më parë partneriteti i Kosovës me SHBA-të dhe Shtëpinë e Bardhë ishte “kuptimplotë dhe i gjithanshëm”, ndërsa ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, të cilën e quan “regjim”.
Në reagimin e tij, Hyseni ka ironizuar edhe me presidenten Vjosa Osmani duke e cilësuar si “notere të Kurtit”, ndërsa ka ironizuar pretendimet për “kontakte të përhershme me Presidentin Trump”.
“Mos u mërzitni se Presidentja e Kurtit dhe e Lumirit të LDK-së i ‘ruan’ relacionet e shëndetshme me SHBA-të???!!! Mozomakeq!”, ka përfunduar Hyseni. /Kosova.info/
