Zyra e BE-së: Të mos ndërhyhet e sulmohet Kushtetuesja, zgjidhja e bllokadës të mbështetet në karakterin shumë-etnik të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media ku kishte treguar se ka dorëzuar komentet e saj në Gjykatë Kushtetuese për çështjen e ngritur nga “Lista Serbe”, ishte shfaqur në një linjë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe sipas saj, Kuvendi i Republikës së Kosovës s’mund të mbahet i bllokuar për shkak të një nënkryetari të komunitetit pakicë, në këtë rast të komunitetit serb.
Gjithashtu, sulmet e bëra ditë më parë nga zyrtarë të LVV-së, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, drejt Gjykatës Kushtetuese, presidentja Osmani në konferencën e saj për media i ka relaitivzuar duke thënë se është liri e shprehjes dhe se është e drejtë që të komentohen e kritikohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, meqë sipas saj gjyqtarët e Kushtetueses s’janë të shenjtë.
Lidhur me këtë në një përgjigje për Gazetën Express kanë folur nga Zyra e Bashkimit Evropian. Zëdhënësi i Zyrës së BE-së, Nikola Gaon, ka thënë se roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është që të interpretojë dhe të garantojë përputhshmërinë me Kushtetutën e Kosovës.
Gaon tutje ka thënë se aktorët politikë dhe krerët e institucioneve duhet të respektojnë dhe të përmbahen nga çfarëdo interference të padrejtë në punën e gjyqësorit, përfshirë edhe sulmet personale.
“Është detyrë e të gjithë aktorëve dhe institucioneve politike të Kosovës që ta respektojnë këtë rol dhe të përmbahen nga çdo formë ndërhyrjeje e padrejtë në punën e gjyqësorit dhe të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë sulmet personale”, ka thënë Gaon.
Në fund, zëdhënësi i Zyrës së BE-së në Prishtinë ka thënë se përgjegjësia për zgjidhjen e bllokadës bie mbi partitë politike, të cilat mund të zgjidhin atë përmes kompromisit, duke u mbështetur në karakterin demokratik dhe shumëetnik të Kosovës.
