Konjufca e propozon Kurtin si kandidat për kryeministër, Këshilli i Përgjithshëm i VV e miraton pa asnjë kundërshtim

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka propozuar Albin Kurtin si kandidat për kryeministër nga kjo parti. Propozimi i tij u votua unanimisht nga këshilli i përgjithshëm i Vetëvendosjes, me të gjitha votat për, pa asnjë kundër dhe pa abstenim.

Në mbledhjen e mbajtur, Konjufca tha se kriza institucionale është zgjatur për shkak se partitë e tjera vendosën që Albulena Haxhiu të mos jetë kryetare e Kuvendit, ndërsa tani po vazhdon sepse po konsiderohet se Kuvendi nuk mund të funksionojë pa Listën Serbe. Ai i quajti këto veprime politika antishtetërore.

Sipas tij, edhe Gjykata Kushtetuese ka kontribuar në zgjatjen e kësaj krize politike. Vendimi i LVV-së vjen pavarësisht faktit që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar punën e Kuvendit deri në fund të shtatorit, pas ankesës së Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. /Kosova.info/


Go to TOP