FBK cakton 4 shtatorin si afat të fundit për licencimin e klubeve dhe shkollave të basketbollit për edicionin 2025/26

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka njoftuar se data 4 shtator 2025 është afati i fundit për licencimin e klubeve dhe shkollave të basketbollit për edicionin garues 2025/26. Ky proces zhvillohet në përputhje me Rregulloren për Licencim dhe Garim dhe përfshin pesë kritere bazë: sportiv, financiar, ligjor, etik e disiplinor, si dhe administrativ e infrastrukturor.

Klubet duhet të aplikojnë sipas kategorive të licencimit (A, B, C ose D), duke dorëzuar dokumentacionin përkatës për secilën. Një nga risitë e këtij edicioni është detyrimi i klubeve të Superligës së Meshkujve që të ndajnë së paku 10% të buxhetit të tyre vjetor për zhvillimin e gjeneratave të reja, si dhe të dorëzojnë një program vjetor trajnimi për grupmoshat U10–U18.

Po ashtu, klubet janë të obliguara të respektojnë politikat e mbrojtjes të miratuara nga FBK, duke caktuar një person përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve dhe duke marrë pjesë në trajnimet e detyrueshme në këtë fushë. /Kosova.info/


Go to TOP