Bislimi në takim të ministrave evropianë në Kopenhagë: Kosova meriton statusin e vendit kandidat për BE

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimin joformal të ministrave për çështje evropiane të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës, në kuadër të Presidencës Daneze të Këshillit të BE-së. Pjesëmarrës ishin ministra për çështje evropiane nga shtetet anëtare dhe vendet aspiruese për anëtarësim. Tema e diskutimit e tryezës ishte “Kriteret e Kopenhagës dhe integrimi gradual.” 

Në adresimin e tij, zëvendëskryeministri Bislimi, theksoi se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e reformave dhe avancim të konsiderueshëm viteve të fundit, ku ka arritur mes tjerash rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon, ulje të papunësisë nga 23.8% në 10.9% në vetëm katër vite, përmirësim në rankime në indekse ndërkombëtare e dyfishim të investimeve të huaja direkte. Theksoi se aplikimi për anëtarësim në dhjetor 2022 është tregues i synimit dhe gatishmërisë për avancim të mëtejshëm, gjersa Kosova po zbaton Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit për gati një dekadë tashmë. 

Zëvendëskryeministri nënvizoi se institucionet tona kanë dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes, andaj dhe është e nevojshme vlerësimi i tyre në bazë të meritokracisë, duke pranuar pyetësorin dhe duke marrë statusin e vendit kandidat. 

Krahas ministrave, pjesëmarrëse në këtë diskutim ishte edhe Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos. /Kosova.info/


Go to TOP