Gjakovë: Policia heton zyrtarin komunal për marrje ryshfeti

Policia e Kosovës, përmes Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë, ka nisur hetime lidhur me dyshimet për veprën penale “Marrje e ryshfetit”. Hetimet janë iniciuar pas pranimit të informatave relevante që implikonin një zyrtar komunal.

Në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Policia ka zbatuar një masë të veçantë hetimi me urdhër të Gjykatës kompetente duke siguruar prova materiale që lidhen me veprën penale. Paratë që ishin objekt i simulimit janë sekuestruar si prova materiale.

Personi i dyshuar është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij duke ushtruar të drejtën për të mbetur në heshtje. Pas intervistimit, prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh ndaj të dyshuarit.

Hetimet janë ende në fazë fillestare dhe do të vazhdojnë për ndriçimin e plotë të rastit.

Policia e Kosovës thekson përkushtimin e saj të vazhdueshëm në luftimin e korrupsionit dhe veprimeve të paligjshme që cenojnë integritetin institucional. /Kosova.info/


Go to TOP