Mosha mesatare e përdoruesve të drogës bie në 16 vjeç

Rënia e moshës mesatare të personave që përdorin drogë nga 18 vjeç në 16 vjeç po konsiderohet situatë shqetësuese dhe kritike, që kërkon mobilizimin e institucioneve dhe shoqërisë. Ky ishte mesazhi kryesor i fushatës sensibilizuese “Një komunitet pa varësi”, e cila u lansua më 1 shtator në sheshin e Prishtinës nga koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Zyra për Qeverisje të Mirë e Kryeministrit, Trust Circle Foundation dhe organizata Labyrinth.

Fushata nisi me një instalacion simbolik që paraqiste një person të izoluar dhe të varur, për të rritur ndërgjegjësimin mbi pasojat e varësisë tek fëmijët dhe të rinjtë.

Safet Blakaj, drejtor i klinikës Labyrinth, theksoi se përdorimi i drogave ka marrë përmasa të reja shqetësuese.

“Mosha mesatare e përdoruesve ka rënë në 16 vjeç, krahasuar me 18 vjeç sa ishte në vitin 2018. Kokaina është droga më problematike, pasi është bërë gjerësisht e përdorur. Në qendrën tonë, dikur dominonin të moshës 35–55 vjeç, ndërsa tani kemi gjithnjë e më shumë raste të grupmoshës 25–35 vjeç dhe madje edhe të mitur,” tha ai.

Nga ana tjetër, Donjeta Kelmendi, drejtoreshë ekzekutive e KOMF, paralajmëroi për rritjen e numrit të përdoruesve aktiv të drogave në Kosovë.

“Situata nuk është e mirë. Sot kemi mbi 35 mijë përdorues aktiv dhe fëmijët e adoleshentët po bëhen pjesë gjithnjë e më e madhe e këtij numri. Ulja e moshës së fillimit të përdorimit në 16 vjeç është alarmante dhe kërkon mobilizim të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, komunitetit dhe mediave,” tha ajo.

Me mesazhe si “Droga t’merr gjithçka” dhe “Ata duhet ndihmuar, jo gjykuar”, organizatorët kërkuan që shoqëria të fokusohet më shumë në rehabilitim sesa në gjykim.

Adelina Sahiti, drejtoreshë e mirëqenies sociale në Komunën e Prishtinës, tha se kryeqyteti do të vazhdojë bashkëpunimin me organizatat për ta luftuar këtë dukuri.

“Droga është ajo që shkatërron familje dhe mbi të gjitha shoqërinë. Ne kemi nevojë për shpresë dhe për familje të shëndosha, prandaj duhet të jemi të gjithë bashkë në këtë betejë,” tha Sahiti.

Ndërsa themeluesi i Trust Circle Foundation, Krenar Dragusha, theksoi nevojën që çështja e varësisë nga droga të mos mbetet më tabu.

“Ky vend ka kaluar shumë sfida dhe nuk e meriton që sot të përballet me këso probleme. Ndryshimet e mëdha ndodhin vetëm kur komuniteti bëhet bashkë,” tha ai.

Fushata “Një komunitet pa varësi” do të zgjasë dy muaj dhe do të shoqërohet me aktivitete të shumta sensibilizuese dhe edukative në nivel vendi. /Kosova.info/


Go to TOP