Basha reagon për akuzat: Kam autorësi vetëm mbi Kapitullin 3, asgjë kundër UÇK-së nuk mban firmën time
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar pas akuzave të publikuara sot në media lidhur me një punim shkencor të vitit 2012, ku përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në një deklaratë publike, Basha ka theksuar se autorësia e tij në atë punim lidhet vetëm me Kapitullin 3, i cili trajton depërtimin e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën.
“Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, në kohën kur unë kam qenë student. Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3. Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë,” tha Basha.
Ai bëri të ditur se edhe autorja kryesore e punimit, Jana Arsovska, ka dërguar një email demantues, ku sqaron se Basha ka dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mban përgjegjësi vetëm për atë pjesë.
“Unë e çmoj lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë,” shtoi ai.
Basha u kërkoi falje qytetarëve që janë shqetësuar nga raportimi duke apeluar tek mediat që të jenë të kujdesshme dhe të raportojnë saktë, sidomos kur bëhet fjalë për tema të ndjeshme që prekin gjithë popullin e Kosovës. /Kosova.info/
