Bajrami kritikon mbështetësit e LVV-së: Dimali është vlerësimi i Kurtit për ju, Liburnin e ka mbrojtur për katër vjet e gjysmë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje duke iu kujtuar se kryeministri në detyrë Albin Kurti ka vlerësuar se Dimal Basha i përfaqëson denjësisht.

“Dimali është vlerësimi që Albini ka për ju,” ka deklaruar Bajrami duke u drejtuar përkrahësve të LVV-së që kanë shprehur pakënaqësi me zgjedhjen e Bashes si kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka kritikuar edhe qëndrimin e mbështetësve të VV-së ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili së fundmi është quajtur “i korruptuar dhe dështak” nga një pjesë e tyre.

“Liburni ka qenë ministër i Albin Kurtit për katër vjet e gjysmë, me buxhetin më të madh në vend, dhe korrupsionin e dështimet e Liburnit i ka mbrojtë Albin Kurti deri më sot,” ka theksuar deputetja e LDK-së.

Në fund, Bajrami u bëri thirrje qytetarëve që të mendojnë racionalisht për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe nacionale: “Qytetarët mund ta çojnë në pension me votë politikanin e korruptuar, të dështuar dhe nënçmues.” /Kosova.info/


Go to TOP